MISIONI YNË!
🎤👨🦯 Ne besojmë se çdo fëmijë mund të mësojë, pavarësisht vështirësisë me të cilën përballet, dhe besojmë se mund të mësojë nga kudo!
QËLLIMI
LibrariaVOX është një platformë edukative audio-logjike që ka për bazë nevojat dhe interesat e komunitetit të nxënësve që lexojnë ndryshe; që krijon kushtet dhe mundësitë për fëmijët me aftësi të kufizuara në shikim për të lexuar çdo material në format tekst, audio ose daisy, dhe për të zhvilluar njohuritë e tyre, aftësitë dhe vlerat e kërkuara nga shoqëria; që lejon nxënësit që nuk lexojnë dot drejtëpërsëdrejti në letër, të informohen në mënyrë të pavarur dhe të kenë të drejtën për të kontribuar për mirëqenien e tyre dhe të shoqërisë dhe në mënyrë konstruktive të përballen me sfidat e jetës.
VIZIONI
Vizioni: sistem arsimor special i bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes dhe të të mësuarit pavarësisht vështirësisë në të nxënë, që mundëson zhvillimin e potencialit të fëmijës me mundësi të kufizuara në shikim, duke kontribuar në mirëqenien personale të tij, dhe i bazuar në nivelet më të larta të teknologjisë asistive e edukative, si aleati kryesor i të nxënit tek fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, që lexojnë, informohen dhe komunikojnë ndryshe, ndërveprojnë, edukohen dhe integrohen barazisht me këdo tjetër në komunitetin e gjerë.
Vizioni i qendrës sonë burimore synon ndërtimin e një sistemi arsimor special, i cili trajton me sukses nevojat individuale të të gjithë fëmijëve e nxënësve, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë dhe me respekt, bazuar në diversitetin e tyre. Aksesueshmëria dhe gjithëpërfshirja janë parakushte të domosdoshme për të siguruar zhvillimin e të gjithë individëve me vështirësi të shikimit deri në potencialin e plotë të tyre, për të ngushtuar hendekun e arritjeve arsimore midis grupeve dhe nëngrupeve të ndryshme të aftësisë së kufizuar, e për tu integruar barazisht në shoqëri.